
TBU përqëndrohet te biznesi, pra te përgatitja me njohuritë bashkëkohore e kandidatëve që i nevojiten biznesit për drejtim, administrim dhe në fushën juridike. Shkolla të ndryshme zgjedhin anë të veçanta të veprimtarisë së njësive private apo publike për të përgatitur kandidatë në funksion të nevojave të zhvillimit të ekonomisë. Stadi i sotëm i zhvillimit, me hapjen e tregjeve dhe me globalizimin e tyre, kërkon njerëz me ide dhe vizion, njerëz të aftë të konkurrojnë dhe të jetojnë gjatë në biznes. Një biznes jeton gjatë jo vetëm nga profili ekonomik i zgjedhur, por nga cilësia e stafit për të zhvilluar këtë veprimtari dhe për ta trajtuar atë si një trup në lëvizje.
TBU synon t’i përgjigjet këtyre kërkesave duke qenë një universitet lehtësisht i dallueshëm nga shkollat e tjera. TBU, i themeluar nga njerëz jo vetëm me prejardhje akademike, por edhe me cilësi të spikatura në biznes, njeh shumë mirë mungesat e tregut për veprimtari të suskseshme ekonomike të shoqërive tregtare, të funksionimit të tyre dhe të minimizimit të riskut për shkak të mospajisjes së duhur me staf cilësor. Ekonomia shqiptare, ashtu siç tregon gjithë eksperienca e vendeve të tjera të zhvilluara dhe në zhvillim, do të funksionojë mbi bazën e parimeve të udhëheqjes së korporatës (corporate governance), ku qartësisht do të ndahet roli i pronarëve nga roli i drejtuesve. Shoqëritë tregtare do të duhet të kenë drejtues, administratorë dhe juristë të specializuar për çështje tregtare në mënyrë që t’u përgjigjen me profesionalizëm sfidave të zhvillimit dhe suksesit në biznes.
TBU është i aftë ta kryejë këtë funksion. Së pari, sepse është shumë i qartë dhe i ndryshëm në atë që ofron dhe për perspektivën e këtij arsimimi. TBU është një shkollë për t’i shërbyer ekonomisë shqiptare, sfidave të sotme dhe të ardhshme. Së dyti, angazhimi i pedagogëve me cilësi akademike, përvojë praktike dhe aftësi shkencore janë garancia e cilësisë së arsimimit në TBU. Së treti, lidhja me tregun shqiptar, me shoqëritë tregtare vendase dhe të huaja si dhe asistenca dhe bashkëpunimi me personalitete në fushat e biznesit dhe jurisprudencës brenda dhe jashtë vendit, garantojnë mbarëvajtjen, konkurrencën dhe përditësimin e njohurive dhe programeve. Së katërti, logjistika dhe ambjentet, teknologjia dhe kushtet janë bashkëkohore duke synuar standardet e një arsimimi cilësor.